Friday, August 14, 2009

Teqeja, që ruan historinë e Tiranës !

Shkodrani, që u shpërngul në Tiranë 10 vjet përpara lindjes historike të saj

« më: 07-02-2007, 10:16:58 »


Ajo që sot njihet si teqeja e Komunitetit Alevian Islamik Shqiptar, në qendër të kryeqytetit, fare mirë mund të cilësohet edhe si historia e Tiranës. Gjithçka fillon me një dramë familjare në Shkodrën e viteve 1600. Gojëdhëna tregon se Sheh Ali Pazari Shkodrani ishte vënë në situatë të vështirë për shkak se njerëzit ishin mosbesues ndaj fuqive të tij hyjnore. Për t’u mbyllur gojën të paudhëve Sheh Aliu shkon të falë xhenazen, një obligim ky për myslimanët, pa e ditur se pas krahëve i ishte kurdisur një lojë, e cila do të rezultonte fatale. “Nëse ju të dy jeni gjallë atëherë do të largoheni nga kjo botë, nëse ju të dy jeni të vdekur atëherë do të vini sërish në këtë botë”, kështu iu drejtua Sheh Aliu arkivoleve, pa e ditur se në njërin prej tyre njerëzit kishin fshehur djalin e tij 10-vjeçar, Ahmetin. Gojëdhëna rrëfen më tutje se dhimbja që pësoi Sheh Aliu nga humbja e djalit ishte aq e madhe, sa e detyroi të largohej nga Shkodra e tij dhe të shpërngulej në një qytet që atëherë nuk ishte ndërtuar ende. Sheh Ali Pazari, më pas me shtojcën Shkodrani, ishte shpërngulur në Tiranë 10 vjet përpara lindjes historike të saj. I ulur në xhaminë e Teneqesë, Sheh Aliu, i baltosur nga rruga e gjatë, shtrihet në një cep të saj, aty ku besimtarët falnin namazin. Kur e pa të baltosur dhe të shtrirë sa gjatë e gjerë brenda xhamisë, shërbëtori i faltores Rexhep Kaimi i bërtiti: “Ej ti, çfarë bën aty? Dil jashtë.” “Hej, zot, më fal, - iu drejtua Sheh Aliu fuqisë hyjnore, - ika nga njerëzit mosbesues dhe po më flakin tani në një vend tjetër edhe jashtë shtëpisë tënde.” Në atë çast Sheh Aliu kthehet nga shërbëtori i xhamisë dhe e mallkon: “Ty të ardhtë goja pas!” Shenjë besëtytnie apo trill, gojëdhëna rrëfen më pas se ditën tjetër Rexhep Kaimit i kishte vajtur goja pas, shenjë kjo që tregonte fuqinë e madhe hyjnore të Sheh Aliut. Të befasuar nga fuqia e Shehut Shkodran, fisi i Kaimëve vendos t’i ndërtojë një teqe, aty ku ndodhet qendra e sotme e kryeqytetit shqiptar, fill pas Pallatit të Kulturës. Është kjo gojëdhëna e rrëfyer nga Sheh Ali Pazari, pinjolli më i ri i teqesë, i cili trashëgon brez pas brezi emrin dhe gojëdhënën e stërgjyshit të tij.







Sot, kreu shpirtëror i Komunitetit Alevian Islamik Shqiptar, Sheh Ali Pazari i Riu, rrëfen për “GT”-në historinë e teqesë dhe të shehlerëve, që e kanë drejtuar atë ndër shekuj, shehlerë, të cilët kanë dhënë një kontribut shumë të rëndësishëm në historinë e Tiranës dhe të Shqipërisë dhe për të cilën u dënuan nga regjimi komunist. Për t’u kthyer te historia e teqesë Aleviane, Sheh Aliu rrëfen edhe për shehlerët, që kanë bërë historinë e Shqipërisë, ku njëri prej tyre është edhe Sheh Ahmet Pazari, i cili ngriti më 26 nëntor 1912, flamurin aty ku sot ndodhet selia e Komunitetit Mysliman Shqiptar, në rrugën “Punëtorët e Rilindjes”. “Sheh Ahmet Pazari është një nga figurat më të ndritura të Shqipërisë, i cili me ngritjen e flamurit në Tiranë jo vetëm ndaloi avancimin e mëtejshëm të serbëve por edhe u tregoi atyre se Tirana nuk ishte më tokë turke”, rrëfen pinjolli i ri. Gjithashtu, sipas Sheh Aliut, Sheh Ahmet Pazarit i njihet edhe merita e shkollimit për herë të parë të vajzave në Tiranë.

“Në Kongresin e 3-të të Komunitetit Alevian, të mbajtur në vitin 1929, Sheh Ahmeti u drejtoi një pyetje të gjithë të pranishmëve: “Përse nuk i çoni vajzat në shkolla?” Reagimi ishte i pritshëm për vetë momentin ku zhvillohej ngjarja: “Ato nuk mund të shkojnë, pasi mbi koka mbajnë shamia.” Atëherë, ai thirri vajzat e tij dhe i urdhëroi që t’i hiqnin menjëherë shamitë nga koka dhe të shkonin në shkollë, hap i cili do të pasohej më pas edhe nga vendimi i qeverisë së Mit’hat Frashërit për heqjen e perçeve. Për këtë gjest, jo normal për kohën, myslimanët e quajtën Sheh Ahmet Pazarin në shenjë përbuzje “Sheh Kaurri”. Por këtij Shehu nuk i njihet vetëm kjo meritë, pasi, sipas gazetës “Zëri i Popullit”, të datës 28 shkurt 1923, e cila në ato vite botohej në Korçë, Sheh Ahmet Pazari është i pari që ka hedhur idenë e tharjes së kënetës së Maliqit. Por historia e teqesë dhe e shehlerëve të saj do të pësonte një fund tragjik me ardhjen e komunistëve në pushtet. Pas vdekjes së Sheh Ahmet Pazarit, në krye të tarikatit alevian në vitin 1937 zgjidhet Sheh Qerim Bilishti, i cili së bashku me komunitetet e tjera fetare refuzoi kërkesën e pushtuesve italianë për të firmosur traktatin Romë-Tokio-Berlin, për të cilën ai u burgos në kampin e Bisht-Pallës. Por tragjedia do të vinte pas çlirimit, kur Sheh Qerim Bilishti do të pushkatohej me grupin e deputetëve, dhe ky do të ishte fundi i teqesë 400-vjeçare. Burgosja e Sheh Ali Pazarit, djalit të Sheh Ahmetit, dhe emërimi me forcë i Sheh Ali Hormovës ishte edhe fundi i teqesë, e cila do të shkatërrohej për herë të dytë në vitin 1967, pas djegies që i bëri Haxhi Qamili, në vitin 1917. Ndërtimi i teqesë dhe 350 të tjerave që ndodhen anë e mbanë Shqipërisë u bë i mundur vetëm pas vitit 1990, kohë kur Sheh Muhamer Pazari, i biri i Ali Pazarit të internuar, mori iniciativën për të ngritur teqenë, e cila deri ndodhet edhe sot në qendër të Tiranës, aty ku deri 3 muaj më parë ndodhej gropa e famshme e Hajdin Sejdisë. Kjo ishte një histori e shkurtuar e teqesë, e cila i rezistoi stuhive dhe që i ka dhënë aq shumë historisë së Tiranës, dhe jo vetëm asaj po gjithë Shqipërisë.

Dritan Laci

1 comment:

  1. Your report is very interesting indeed. I invite You to see in my site a great collection of views of borders (riigipiirid) in my Italian-Estonian site http://www.pillandia.blogspot.com
    Best wishes from Italy!

    ReplyDelete