Friday, August 5, 2011

TEQJA E SUKTHIT-TRADITA 600 VJECARE

http://www.gazetametropol.com/tekst.php?idt=71673

04/08/2011 Teqja Halvetiane Ramazanije në Sukth të Durrësit vjen me pasurinë shumëshekullore që prej vitit 1605. Gjeneza e krijimit dhe ndërtimit të saj nis në Çajë të Kukësit. Themeluesi dokumentohet dhe njihet si Shejh Oban Baba Aliu dhe gjeneratat vijuese në kohë të Shehelerëve janë Shejh Hasani, Shejh Hyseni, Shejh Ibrahimi; Shejh Fetahi i Parë dhe Shejh Fetahi i Dytë për të vijuar me Shejh Emrian dhe deri tek Sheh Rustemi i tanishëm i cili përjetoi me mençuri dhe durim sistemin ateist të komunizmit në Shqipëri.



Shejh Rustemi na rrëfen qetësisht se në shtëpinë e miqve të Mirësive Hyjnore se inaugurimi i Teqes halvetiane e cila ngërtheu mundin, dashurinë dhe përkushtimin e familjes dhe komunitetit alevian u realizua në 10 Prillin e vitit 2004. Ngritja e besimit përmes Teqes në Sukth u ndihmua nga Hasitania e Prizrenit prej Baba Shejh Abedinit dhe nga Teqja e Halvetive të Demjanit në Kosovë prej Baba Shejh Beramit së bashku me Hazizin e tij.

Teqeja e Shejh Rustemit rrezaton fizionominë e një shtëpie pritëse me zemër të madhe si në fillesat e besimit Halveti. Vendi i faljes në Teqe ka marrë trajtat e një muzeu të objekteve me ngarkesa religjive si kaligrafitë e lutjeve kuranore, fotografitë historike të personaliteteve të familjes dhe Alevizmit në Shqipëri me disa nga pajimet antike të dervishëve e shehlerëve që nga taxhet, tespihet autentike, bastunët e deri te shpata e quajtur teber.

Teqja ka oxhakun Kuvendor ku shërbehet kafeja si dhe shtrohet sofra për dashamirësit e Ehli Bejtit, madje sigurohet dhe fjetja për vizitorët që duan të qëndrojnë një natë për dëshirën e mirë vetjake apo për të praktikuar ritet dhe festat islame.

Stolisur me petkun bardh e zi të klerikut Halveti, Shejh Rustemi me mirësinë e shkruar në portret, mjekrën e bardhë dhe buzëqeshjen e Mençurisë, bart në vetvete një arkiv të pasur të kulturës familjare kuksiane, historinë e breznive të shehlerëve si dhe urtësinë e dijes së

thellë kuranore gërshetuar me përvojën njerëzore.

Në verandë pranë miqve Sheh Rustemi nis e rrëfen me modesti për vuajtjet dhe falje për ata që e përndoqën në diktaturë. Është një dhimbje e bartur ndër vite nga privimi i të drejtës publike për ti shërbyer Zotit dhe besimtarëve për afro gjysmë shekulli.

Gjatë komunizmit në Kukës, Sheh Rustemi diti të ruajë në fshehtësi traditën fetare të trashëguar ndër brezni nga etërit sheh mbas shehu.

Asokohe Baba Shehu tregon se Partia dërgoi një të deleguar në zonë për të ndaluar besimin fetar. U zhvillua një mbledhje në të cilën ai nuk u paraqit ndaj iu dërgua një urdhër arresti duke e marrë në pyetje si në një gjyq për arsyen e mungesës. Sheh Rustemi vijon se diti të mbrohet përmes autokritikës duke u thënë të deleguarve të Partisë se ishte i sëmurë.

Pastaj iu desh të mohojë njohuritë e tij mbi dijet fetare dhe gjuhën arabe për të larguar dyshimet. Ky presion zgjati deri në orën një pas mesnate dhe më vonë dolën nga salla. Njëri prej tyre vendosi që të falet pavarësisht reagimit të kolegëve. Dhe kështu u mbyll mbrëmja e gjatë e hetuesisë për Rustem Shehun e ri. Pas kaq vitesh Sheh Rustemi tregon se disa nga personazhet e asaj kohe që nga Marku apo Hakiu e përshëndesin së largu me mirënjohje duke bërë kritikën e vetes në kohë përmes pajtimit dhe mirënjohjes.

Sheh Rustemi pohon se harmonia fetare në Shqipëri është për t u admiruar. “Të gjitha fetë si ajo Ortodokse, Katolike apo Myslimane kanë engjëjt dhe shenjtorët e tyre mrekullibërës ndaj dhe vullneti i Zotit që i krijoi si rrugë besimi duhet respektuar.”

Trashëgimtari i besimit dhe vlerave të familjes është i biri Zamir Shehu. Ndërsa vijon studimet e larta pranë universitetin amerikan të Tiranës, Zamiri në moshën 21 vjeccare njeh shkollën e lindjes dhe perëndimit, duke studiuar nga katedra e medresesë së Prizrenit në auditorët e kryeqytetit evropian të Parisit.

Teqeja dhe Shtëpia e Sheh Rustemit babait të tre djemve e tre vajzave funksionon në mënyrë harmonike si një ndërmarrje fisnore ku secili njeh dhe zbaton detyrat e veta me përkushtim.

Në gazin e një martese takohesh me ritualin e ardhjes së dajave të dhëndrit me dashin e kurbanit që prin i ngjyer në të kuqe, tingujt e dajreve dhe instrumenteve frymorë si në dasmën e Gjergj Kastriotit, vallen e bukur të grave dhe vajzave kuksiane veshur me kostumet e rralla burimore të folkut të Hasit, Lodrën e fëmijëve dhe urtinë e pleqve dhe rapsodin e mbërritur nga Gjakova për të kënduar balada e rapsodi atdhetare.

Në Teqen e Sukthit gjen miq nga Tropoja e Saranda, deputetë e drejtues të shtetit që vlerësojnë traditën shqiptare dhe halvetiane e në veçanti atë afri shpirtërore e njerëzore të privuar nga ish diktaturat e të shumëpritur ndërmjet shqiptarëve të përtej kufirit me Kosovën, Maqedoninë dhe Malin e Zi.

No comments:

Post a Comment