Shkodrani, që u shpërngul në Tiranë 10 vjet përpara lindjes historike të saj
Friday, August 14, 2009
Bisedë me pinjollin e familjes së vjetër tiranase Pazari, sheh Ali Pazari i Riu
Hasitania e Kosovës dhe roli i shehlerëve shqiptarë si parashtrati i pavarësisë
E Enjte, 12 Mars 2009- Sheh Ali, cilin nga gjyshërit ose stërgjyshërit e ndien më të afërt qoftë edhe si figurë frymëformuese në 1-vjetorin e pavarësisë së Kosovës në rrafshin atdhetar?
- Më të afërt kam stërgjyshin tim, sheh Ahmed Pazarin, i cili njihet dhe në historinë e kombit si patriot i shquar shqiptar. Ai ka qenë dhe rimëkëmbë i mbarë shqiptarëve të kudondodhur, ka qenë njëherazi një organizator për edukimin e gjithë të rinjve dhe një misionar i palodhur fetar, që harronte familjen dhe njerëzit e tij në Tiranë dhe nisej e udhëtonte me muaj larg për hapjen e shkollave, ndërtimin e rrugëve, burimeve ujore nëpër fshatra të humbura, që mezi gjenden nga vizitorët edhe sot që mjetet moderne të transportit i kanë shkurtuar distancat. Të mendosh se në ato kohë të vetmet mjete udhëtimi kanë qenë kuajt dhe karrocat.
- Të habit fakti që vendndodhja e teqesë dhe tyrbes suaj gjendet në një vend që ndryshe quhet “kërthiza e Tiranës”. A ka qenë rastësi kjo shenjë gjeografike?
- Ardhja e shehut të parë nga Shkodra në Tiranë ishte pikërisht në një Xhami në qendër të qytetit, ku shërbëtor në të ka qenë njëri prej familjes së vjetër Kaimi, i cili bënte pastrimin e Xhamisë. Sheh Aliu i Parë, duke qenë udhëtar i ardhur nga Shkodra tejet i lodhur, ndalet dhe pasi fal namazin ulet në një cep të Xhamisë për t’u qetësuar dhe kujdestari i thotë se “këtu nuk është vend për t’u çlodhur, por vend faljeje”. Pra, i jep të kuptojë se duhej të largohej. Sheh Aliu, i larguar nga Shkodra nga një popull mosbesues, erdhi dhe gjeti në Tiranë të njëjtin mosbesim. Atëherë sheh Ali Shkodrani i thotë "t’u ktheftë ajo gojë pas". Dhe vërtet ashtu ndodhi: goja i shkoi pas veshit familjarit të Kaimëve. Pra, u tregua fuqia e të madhit Zot dhe ndodhi një mrekulli e dytë. Ky person u bë më vonë myhybi i parë i Teqesë së Tarikatit Halveti. Varri me eshtrat e tij ndodhet në njërën nga anët e teqesë. Ai mund të quhet i dashuri i parë i institucionit tonë fetar alevian.
- Të gjithë prindërit e ndërtojnë dhe e përfytyrojnë idealisht e bukurisht pamjen e fëmijës së vet. Po ju në pritje të ardhjes në jetë të birit tuaj Amirit a ishte i përafërt me pamjen që kishit përfytyruar?
- Ajo ndodhi ashtu siç e kishte dashur Zoti, pasi ajo është dhuratë e tij dhe u realizua vullneti i tij. Emri “Amir” është me origjinë perse, që do të thotë “prijës”. A-mir, pra është i mirë edhe në shqip nga gjuha parake bart një kuptim pozitiv.
Shpresoj të jetë prijës i rrugës së drejtë.
- Po nusja juaj si e priti?
- Femrat më shumë sesa meshkujt krijuesi i ka bërë që ta përjetojnë dashurinë në një përmasë më të gjerë për fëmijët e tyre. Ky është realitet i prekshëm. Duke rritur fëmijën për nëntë muaj në barkun e tyre dhe të ushqyerit me gji, pra krijohet një lidhje unikale mes nënës dhe fëmijës. Kjo nuk është gjë tjetër veçse ajo dashuri hyjnore, por kuptohet më e minimizuar, sepse dashuria hyjnore nuk ka fund. Sikur të mendonim dashurinë e nënës, që duket aq e pamatë për fëmijën e saj, ashtu është dhe dashura e Absolutit për mbarë krijesat e veta.
- A ruani në kujtesë si manifestimin e një ngjarjeje të shënuar në jetën tuaj veshjen ne Hasitanen e Kosovës?
- Kurse ngjarja e dytë është një ëndërr, pra nuk është e prekshme, të cilën e kam pasur që në vogëli dhe më është rrënjosur që në këtë periudhë të jetës. Një ëndërr që unë të vazhdoj këtë mision dhe kjo arriti kulmin e vet, pra rrënjosjen e besimit tim kur unë mora dhe titullin fetar “Sheh”, vesha dhe petkun fetar. Një ëndërr ku unë e shihja veten të bërë kurban para gjithë besimtarëve, pra vazhdimin e këtij misioni derisa të bëhesha kurban, të vetëflijohesha. Që i vogël është një ushqim që më është dhënë për të vijuar këtë rrugë të drejtë, rrugën drejt së vërtetës. Akti i fundit i veshjes sime ishte shenjë e të madhit Zot, i cili për të më rrënjosur mendimin se misioni duhet të ketë vazhdimësi derisa të harrohet edhe vetvetja. Në gjuhën fetare shprehet kështu: “Moutu kable ente moutu”, që shqip kjo do të thotë “vdis para se të vdesësh”.
Njeriu duhet të vdesë nga ana materiale, pra nga nevojat e trupit të tij, për t’u lartësuar nga ana shpirtërore. Edhe pa i vdekur trupi, duhet të jetojë në ngritje të shpirtit të tij. Të mos vlerësojë pjesën e materies, duke harruar smirën, egoizmin, që duket kthjelltas se është përhapur kudo në mbarë njerëzimin. Duhet të vlerësojë atë dashuri që i madhi Zot i ka dhuruar, të tregojë mirënjohjen për dhuratat e shtrenjta të Krijuesit.
- Si e përjetuat ditën e vlerësimit si prijës fetar i Komunitetit Islamik Alevian? A ndodheshit pranë me bashkudhëtaren e jetës suaj?
- Nusja ime e shikonte në ëndërr ceremoninë e veshjes, pra edhe një herë kjo tregoi forcën e bukur të lidhjes midis nesh. Ajo ishte e paralajmëruar, unë nuk i kisha thënë asgjë bashkëshortes sime. Më merr në telefon dhe më thotë: "Ti je veshur në Prizren!" Pra, është një rrëfim i pabesueshëm, një ngjarje e
jashtëzakonshme. Jo vetëm shpërfaqet dashuria e trupit, por është një dashuri hyjnore. Atë që duhet të rrezatojë kushdo me të afërmit e tij, me familjen e tij dhe ata që e rrethojnë. I njohin apo nuk i njohin, sepse një fjalë e mirë nuk i kushton askujt asgjë. Një fjalë e mirë mjafton për të ndriçuar zemrën e tjetrit, për ta lehtësuar shpirtin e tij.
- Mendoni se e sotmja duhet të shërbejë për t’i bërë ballë me sukses së nesërmes, e cila nuk duhet të na habisë a befasojë?
- Është një detyrë e njerëzve që të bëhen të përsosur. Është detyrë primare t’u heqin perdet e vëna mendjeve e syve dhe të shohin realitetin e të vlerësojnë atë që i madhi Zot u ka dhënë e jo të synojnë për diçka që është më tutje, pra të harrojnë smirën e të vlerësojnë gjithçka që kanë para syve, sepse ajo është më e vlefshmja. Të gjithë emigrantët arrijnë ta shtojnë dashurinë që kanë për atdheun, sepse janë të privuar nga atdheu i tyre.
Sikur të ishin të tërë të tillë, Shqipëria do të ishte bërë më mirë se çdo vend tjetër. Për mua vendi i shqipeve edhe sot është më mirë se çdo vend tjetër. Njerëzit duhet ta vlerësojnë këtë bukuri që na është dhënë, ta vlerësojnë këtë dashuri që kanë mes tyre, në familjen e tyre. Amerika është këtu, Parisi është këtu, gjithçka është këtu tek këto mundësi që na jepen çdo ditë.
- Sheh Ali, ju emetoni fisnikërinë e pesëmbëdhjetë brezave të familjes Pazari. A është vërtet një përgjegjësi e lartë t’u përkasësh paraardhësve, gjyshërve e stërgjyshërve, të cilët kanë bërë emër të mirë në kryeqytet e në këtë vend?
- Është gjë shumë e bukur. Nëse veprat e paraardhësve të tu kanë qenë të mira, mund edhe të bazohesh në ato vepra e t’i shohësh si gurë kilometrikë për të vijuar në atë rrugë, por njeriu gjithmonë duhet të japë kontributin e vet, ndryshe gjithçka do të shuhej. E kështu që unë, duke iu referuar misionit të pararendësve të mi, po përpiqem të jap kontributin tim, sado i vogël qoftë ai.
- Ju ka ndodhur në udhëtimet tuaja të shkoni e të shihni dhe ato burime të ndërtuara me dashuri e përkushtim nga stërgjyshi juaj, nëse ruhen e mirëmbahen ende?
- Fatbardhësisht kam qenë në disa prej veprave të tij në zonën e Devollit, Tepelenës e shumë prej tyre. Ai ka pasur një vizion për kënetën e Maliqit dhe që në vitin 1920 fliste për tharjen e kënetës dhe shfrytëzimin e gjithë kësaj toke për të mira në bujqësi. Siç dihet, kjo u realizua më vonë. Kështu që pata mundësinë të njihem me veprat e tij.
- Cila mendon se është ajo shenja emblematike juaja në këtë mision hyjnor e qytetar?
- Besoj vërtet se emblema e këtij misioni është dashuria. Rrezatimi i dashurisë në njerëz dhe udhëheqja e tyre në një rrugë të drejtë. Në rrugën e vlerësimit të gjithçkaje të mrekullisë që na ka dhuruar i madhi Zot, vetë ekzistencës sonë. Unë jam i bindur se një pjesë e asaj toke të teqesë sonë tek ish-pazari i vjetër mbrapa Pallatit të Kulturës është dhuratë e këtij njeriu dhe familjes së tij, Kaimi. Me dokumentet arkivore të gjetura nga unë vërtetohet se brez pas brezi pasardhësit dhe të afërmit e kësaj familjeje kanë qenë myhybë dhe dashamirës të teqesë dhe tyrbes së halvetive.
- Si e shihni rolin e muzikës në ritualet tuaja, po të kujtojmë dhe vallëzimin harmonik të dervishëve apo instrumentet e lashta muzikore të luajtura në ritualet tuaja?
- Vetë muzika është mistike. Ajo shpreh një mesazh që jo kushdo e rrok në kuptimësi. Në ritet fetare të tarikatit halveti, në të cilin unë shërbej, muzika ka qenë gjithmonë e pranishme, dhe kjo sepse muzika shpreh një mesazh që e kupton vetëm shpirti.
- Sheh Ali, ju zotëroni dijen e dy kulturave, lindore dhe perëndimore falë shkollimit tuaj të lartë në Liban dhe në kryeqytetin e arteve moderne, Paris. Shumë njerëz të kulturës e kanë ëndërruar praninë në këtë metropol, që është tregues i majës së një qytetërimi si ai i sotshmi. Si e sillni në ekranin e kujtesës këtë periudhë të jetës suaj?
- Unë shkollën e kam bërë në Lion, por Parisin kam pasur mundësinë ta vizitoj shumë herë dhe kam pasur fatin të hyj në muzetë e artit. Parisi është një përballje e vërtetë kulturash, pasi është kryeqyteti i botës, siç mund të quhet ndryshe. Atje çdo ditë mund të shikosh çdo racë njerëzore, të dëgjosh të gjitha gjuhët përveç frëngjishtes. Ky, pra, është Parisi. Atje ka kinezë, grekë, italianë, turq, amerikanë, gjermanë, pra tërë popujt mblidhen në Paris për qëllimet e tyre turistike. Është një vend përrallor e shumë i bukur, të cilin unë do ta pëlqeja vetëm për turizëm, për asgjë tjetër.
- Nuk ishte rastësi ardhja në Shqipëri, një shkëputje pasi kryet ciklin studimor në Paris?
Po, unë erdha në vendlindje pasi kreva dhe ceremoninë e diplomimit në sferën e financës, ku ishin dhe prindërit e mi prezent. Nuk e pata shpënë nëpër mend të jetoja ndonjëherë në Francë. Një sebep për kthimin tim ishte vetë vlerësimi për atdheun tim, ishte vetë dashuria për shqiptarët, vetë dashuria për familjen time dhe për amanetin e paraardhësve të mi, për vazhdimin e atij misioni të shenjtë të trashëguar gjeneratash të tëra në fisin Pazari. Udhëheqjen e njerëzve drejt rrugës së drejtë.
Histori që kanë të bëjnë me iniciatët e misionit dhe paraardhës të familjes suaj. Zëri ndërmjet njeriut, tokës dhe qiellit përçohet në shekuj prej jush. Meqenëse këto janë të mbrujtura nga
besimi, dashuria e mirësia ato do të jenë vende ku njerëzit do të gjejnë vetveten dhe paqen e kuptimësinë e brendshme në rrugëtimin e gjatë për te vetja e realizuar. Vlerat e Sheh Ali Pazarit shpalohen si flamuri shqiptar në ballinën e teqesë, në kujtesë edhe të 26 nëntorit, pavarësimit të Tiranës, me gëzimin e brendshëm. Misioni human e i dashur duket se nuk merr fund kurrë, ai kulmohet mbi vdekjen me dashuri te përjetësia e shpirtit. Parimi i jetës sonë është ruajtur ndër shekuj me tri fjalët: besimi, atdheu si shqiptarësia, familja e shenjtë.
Tuesday, August 11, 2009
Subscribe to:
Posts (Atom)